Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në buxhetin e vitit 2027 do të përfshihen mjetet e nevojshme financiare për mbështetjen e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë.
Këtë deklaratë Kurti e bëri në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të pyetjeve të deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi sqarime për hapat konkretë të Qeverisë në hartimin e një strategjie shtetërore për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare dhe për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në fazën e apelit.
Kurti bëri të ditur se Qeveria ka themeluar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie, duke theksuar se procesi synon të përfshijë institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e partive politike.
“Ne kemi afatin deri më 31 tetor që ta votojmë në mbledhje të Qeverisë buxhetin për vitin 2027. Dhe këtë do ta bëjmë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se, para përcaktimit të kostove financiare, duhet të hartohet strategjia dhe të identifikohen mekanizmat konkretë të veprimit.
“Njëherë vjen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit”, u shpreh kryeministri.
Kurti tha se grupi punues duhet ta përfundojë punën e tij dhe të paraqesë rezultatet, duke shtuar se në të do të marrin pjesë përfaqësues nga ministritë përkatëse, Zyra e Presidentes, Zyra e Kryeministrit, Kryesia e Kuvendit dhe grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes dhe Aleancës, si dhe grupi multietnik.
Sipas tij, qëllimi është që strategjia të ketë karakter shtetëror dhe të mbështetet përtej dallimeve partiake.
Gjatë seancës, deputetja Musliu-Shoshi kërkoi nga kryeministri sqarime lidhur me buxhetin e veçantë për zbatimin e strategjisë, angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë të së drejtës penale ndërkombëtare dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse.
Ajo ngriti shqetësimin për urgjencën e procedurave të apelit, duke pyetur se çfarë masash ka ndërmarrë Qeveria deri më tani, pa pritur përfundimin e afatit të punës së grupit punues.
Deputetja kërkoi gjithashtu të dijë se cili institucion do të jetë përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve pasi grupi punues ta përfundojë mandatin gjashtëmujor.
Në përgjigjen e tij, Kurti tha se Qeveria do t’i angazhojë kapacitetet e saj për të mbështetur përpjekjet për korrigjimin e aktgjykimit në apel dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e të vërtetës së saj shkon përtej mandateve të Qeverisë dhe dallimeve partiake”, tha Kurti.
Ai shtoi se veprimet që do të dalin nga strategjia do të kenë kostot përkatëse financiare, të cilat, sipas tij, do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës.

