Friday, October 16, 2026
HomeLajmeKosovëBE-ja: Ligji për Pastrimin e Parave e afron Kosovën me SEPA-n

BE-ja: Ligji për Pastrimin e Parave e afron Kosovën me SEPA-n

Bashkimi Evropian në Kosovë ka mirëpritur miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të mëtejshëm drejt anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Në një reagim pas miratimit të ligjit, ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, tha se ky zhvillim kontribuon në avancimin e Kosovës drejt integrimit në sistemin evropian të pagesave dhe në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian.

“Me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave në lexim të dytë nga Kuvendi dje, Kosova ka bërë një hap tjetër drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, deklaroi Schuebel.

Ai theksoi se anëtarësimi i Kosovës në SEPA pritet të sjellë lehtësime në realizimin e pagesave dhe transfertave ndërkombëtare, duke ulur kohën dhe kostot për qytetarët dhe bizneset.

“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”, u shpreh ambasadori i BE-së.

Miratimi i këtij ligji përbën një nga hapat në procesin e përafrimit të Kosovës me standardet dhe mekanizmat evropianë. Megjithatë, anëtarësimi në SEPA mbetet një proces më vete, që varet nga përmbushja e kritereve përkatëse dhe përfundimi i procedurave të nevojshme.

Anëtarësimi në këtë zonë do t’u mundësonte qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë të kryejnë pagesa në euro me vendet pjesëmarrëse në kushte më të favorshme, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe aktivitetin ekonomik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram