Friday, October 16, 2026
HomeLajmeKosovëVitia: 53.4% e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat...

Vitia: 53.4% e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4% e rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë janë diagnostikuar në fazën e parë dhe të dytë gjatë vitit 2025. Ai ka vlerësuar se këto rezultate janë inkurajuese dhe kanë rëndësi për mundësitë e trajtimit të hershëm.

Gjatë konferencës ndërkombëtare “Karcinoma e Gjirit dhe Sfidat e Saj”, të organizuar në kuadër të muajit rozë, Vitia ka theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta, diagnostikimit të hershëm dhe përmirësimit të qasjes në shërbimet shëndetësore.

“Përmes këtij plani synojmë organizim më të mirë të kontrolleve dhe zgjerim të mundësive për zbulim të hershëm. Mamografia në institucionet tona publike është falas gjatë gjithë vitit”, ka deklaruar Vitia.

Ai ka bërë të ditur se Kosova ka për herë të parë Planin e Veprimit për Skriningun e Kancerit të Gjirit 2026–2028. Sipas tij, përveç mamografit të instaluar në Fushë Kosovë, së shpejti pritet të shtohen edhe tetë mamografë të rinj digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Ndërkohë, mamografi mobil po shërben për të lehtësuar qasjen në kontrolle në të gjithë vendin.

Vitia ka përmendur edhe avancimin e shërbimeve të radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë, përmes dy akseleratorëve të rinj, njëri prej të cilëve përdor teknologjinë SBRT.

Ministri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes psikologjike për gratë që përballen me kancerin e gjirit, duke vlerësuar se ato duhet të informohen dhe të mbështeten gjatë trajtimit dhe rikuperimit.

“Detyra jonë është që këtyre pyetjeve t’u përgjigjemi me shpresë, me zgjidhje dhe me kujdes në kohë”, ka thënë Vitia.

Ai ka falënderuar profesionistët shëndetësorë dhe pacientet që ndajnë përvojat e tyre, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për përmirësimin e shërbimeve dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes.

Kurse drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se investimet në pajisje moderne dhe avancimi i metodave terapeutike kanë ndikuar në përmirësimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.

Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Karcinoma e gjirit dhe sfidat e saj”, në kuadër të muajit rozë, Kurtishi ka vënë pah modernizimin e radioterapisë, qasjen në terapi të reja dhe përmirësimin e proceseve të përgatitjes së barnave.

“Duke zbatuar këto metoda bashkëkohore të rrezatimit, mundësojmë një trajtim më të saktë, më të përshtatshëm për nevojat individuale të pacientëve”, ka deklaruar Kurtishi.

Ai ka bërë të ditur se Klinika e Onkologjisë ka tri pajisje për radioterapi, përmes të cilave aplikohen teknika moderne, përfshirë radioterapinë me intensitet të moduluar (IMRT) dhe stereotaksinë.

Kurtishi ka theksuar gjithashtu rëndësinë e qasjes në barna të reja dhe terapi moderne kundër kancerit të gjirit, të cilat, sipas tij, mundësojnë trajtim të përshtatur me karakteristikat e sëmundjes dhe nevojat e pacientëve.

Ndër zhvillimet e tjera, ai ka përmendur përmirësimin e infrastrukturës së klinikës dhe avancimin e përgatitjes së barnave citostatike, duke bërë të ditur se janë në proces procedurat për futjen e metodave automatike.

“Këto investime dhe ndryshime organizative synojnë të rrisin sigurinë, saktësinë dhe efikasitetin në përgatitjen dhe administrimin e terapive, duke vendosur sigurinë e pacientëve në qendër të çdo procesi”, ka thënë Kurtishi.

Ai ka vlerësuar se, krahas progresit të arritur, mbetet e nevojshme vazhdimi i investimeve, edukimi profesional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve onkologjike.

Ndërsa drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mentor Zejnullahu, ka theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, trajtimit cilësor dhe bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shëndetësorë në luftën kundër kancerit.

Zejnullahu ka thënë se institucionet shëndetësore kanë prioritet avancimin e shërbimeve dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale.

“Diagnostikimi i hershëm, trajtimi cilësor dhe bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve shëndetësorë janë thelbësorë në luftën kundër kësaj sëmundjeje”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ai ka theksuar se synim i institucioneve shëndetësore është t’u sigurojnë pacientëve kujdesin e merituar, me profesionalizëm dhe humanizëm.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram