Situata është tensionuar gjatë protestës së të rinjve që po mbahet për të pestën ditë radhazi para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku protestuesit po kundërshtojnë klasën politike në vend.
Mediat në Shqipëri raportojnë se protestuesit kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të policisë, ndërsa kanë shkulur kangjellat metalike pranë ministrisë dhe i kanë vendosur në mes të rrugës, duke krijuar barriera përballë efektivëve.
Sipas raportimeve, protestuesit kanë djegur edhe kosha të mbeturinave pranë godinës së ministrisë. Një efektiv policie raportohet se është lënduar, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur ambulanca për t’i ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve, të cilët janë zhvendosur përkohësisht në rrugicat përreth për t’iu shmangur efekteve të gazit.
Pavarësisht tensioneve, të rinjtë kanë vazhduar thirrjet kundër klasës politike, duke brohoritur: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Protesta e sotme vjen pas katër ditësh të tjera protestash në kryeqytetin shqiptar, gjatë të cilave janë shënuar akte dhune dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Dita e pestë e protestave në Tiranë
Në Tiranë ka nisur grumbullimi i protestuesve për ditën e pestë radhazi të protestës kundër klasës politike në Shqipëri. Të rinj dhe qytetarë kanë marshuar nga drejtime të ndryshme për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit.
Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës.
Gjatë tubimit, një grup të rriturish u kanë kërkuar llogari efektivëve të policisë për shoqërimin e protestuesve gjatë ditës së mëparshme.
Sipas RTSH-së, protesta e sotme është paralajmëruar si tubim gjithëpërfshirës kombëtar, ku përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritet të marrin pjesë edhe qytetarë dhe përfaqësues të diasporës.
Pranë Ministrisë së Arsimit janë pozicionuar makina ujëhedhëse, ndërsa forcat e policisë kanë qëndruar pas godinës së ministrisë.
Dhjetë të arrestuar pas protestës së djeshme
Policia e Tiranës ka arrestuar 10 persona dhe ka proceduar penalisht 22 të tjerë lidhur me protestën e zhvilluar më 16 tetor.
Sipas Policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë dhe godinës së Ministrisë së Arsimit.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar punonjës të policisë, godina e ministrisë dhe sinjalistika rrugore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
21 të lënduar gjatë protestës së katërt
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjatë protestës së 16 tetorit, 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Mes tyre janë tetë policë, dhjetë protestues, përfshirë tre të mitur, si dhe tre kalimtarë.
Dy persona vijojnë të marrin trajtim mjekësor, një kalimtar në gjendje të qëndrueshme dhe një protestues 21-vjeçar, i cili po monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.
Sipas ministrisë, për 21-vjeçarin aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Personat e tjerë janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.


Burimi: RTSH/ATSH.

