Protesta e së shtunës në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ku 37 zyrtarë policorë kanë mbetur të plagosur, ndërsa 27 persona janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht.
Të dhënat i bëri të ditura Albert Nushi, shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, i cili deklaroi se angazhimi i forcave speciale, përfshirë RENEA-n, erdhi pas një telefonate në sallën operative të Policisë së Tiranës.
Sipas Nushit, telefonata raportonte për të shtëna me armë zjarri gjatë sulmeve me lëndë piroteknike.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov, doza kanabisi, vida, sfera metalike dhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmeve.
Nushi deklaroi se, sipas Policisë, prej gjashtë ditësh ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj punonjësve policorë dhe institucioneve, ku janë përdorur gurë, mjete metalike, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.
Gjatë protestave, sipas autoriteteve, janë dëmtuar institucione shtetërore, institucione të drejtësisë, banka dhe prona publike e private. Po ashtu, është raportuar për zjarrvënie në hyrjen e godinës së Gjykatës së Lartë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, duke theksuar se e drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore.
Ndërkohë, 19 persona të tjerë janë proceduar penalisht në Shkodër dhe Vlorë për veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të së shtunës, sipas Policisë së Shtetit.

