Në kuadër të bashkëpunimit me Bibliotekën Kombëtare të Turqisë, të mbështetur në memorandumin e nënshkruar në tetor 2024, një delegacion i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” po merr pjesë në Ankara në një program trajnimi dhe shkëmbimi përvojash, së bashku me kolegë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas njoftimit, në ceremoninë e hapjes, Bekim Aliu, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Shërbimit të Përdoruesve dhe Zhvillimit Profesional, në fjalën e tij përshëndetëse në emër të BKK-së, prezantoi synimet e institucionit për modernizimin e shërbimeve bibliotekare, digjitalizimin e koleksioneve dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron inteligjenca artificiale.
“Ai theksoi se e ardhmja e bibliotekave nuk ndërtohet vetëm mbi teknologjinë, por, mbi të gjitha, mbi njerëzit, dijen e përbashkët dhe partneritetet e qëndrueshme. Pavarësisht vendeve që përfaqësojnë dhe koleksioneve që ruajnë, bibliotekat bashkohen rreth një misioni të përbashkët: ruajtjes së kujtesës së së kaluarës dhe krijimit të mundësive të reja për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së parë të programit, pjesëmarrësit u njohën nga afër me organizimin dhe funksionimin e Bibliotekës Kombëtare të Turqisë, me fokus të veçantë në praktikat e ofrimit të shërbimeve për përdoruesit.
Tutje theksohet se, përtej shkëmbimit të njohurive dhe përvojave profesionale, ky program krijon mundësi për ndërtimin e partneriteteve të reja, zhvillimin e ideve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit afatgjatë, në funksion të zhvillimit të bibliotekave dhe përmirësimit të shërbimeve për përdoruesit e tyre.

