Forcimi i bashkëpunimit në luftimin e pastrimit të parave, konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe hetimin e krimit financiar ishte në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe një delegacioni të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e mbajtur të hënën në Prishtinë, delegacioni amerikan, i kryesuar nga Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, diskutoi edhe për mundësitë e ofrimit të ekspertizës profesionale për prokurorët e shtetit, me qëllim të forcimit të kapaciteteve për luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, përfaqësuesit amerikanë shprehën gatishmërinë për të mbështetur mekanizmat e krijuar nga Kryeprokurori i Shtetit, veçanërisht mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, Gashi shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Departamentin e Thesarit amerikan, me synim rritjen e efikasitetit institucional dhe forcimin e sundimit të ligjit.

