Wednesday, October 21, 2026
HomeGjeopolitikOpinionPOLITIKA – PROFESIONI KU MASKA BËHET FYTYRË!

POLITIKA – PROFESIONI KU MASKA BËHET FYTYRË!

Zejdush Kastrati

Vështirë të gjesh një profesion më të ndyrë se politika, kur ajo bie në duart e lakmitarëve, gënjeshtarëve dhe njerëzve pa dinjitet. Një profesion që, në vend se të jetë shërbim ndaj popullit, shndërrohet në biznes privat për pasurim, pushtet dhe privilegje.
A ka ironi më të madhe sesa të qeverisësh me vite, të abuzosh me besimin e qytetarëve, të manipulosh zgjedhjet e të jetosh në luks, ndërkohë që populli numëron hallet, borxhet dhe zhgënjimet? Ti mbi ligjin, populli nën barrën e ligjit! Ti me vila e privilegje, populli me fatura e premtime të pambajtura!
Dhe kulmi i gjithë kësaj maskarade? Pas vitesh të tëra duke u shitur si shpëtimtar i kombit, njëri përfundon prapa grilave, tjetri arratiset nga drejtësia, e ndonjë tjetër vazhdon të mbajë ligjërata për patriotizmin, moralin dhe shtetin e së drejtës. Sepse, për disa politikanë, patriotizmi është flamuri që e valëvisin para kamerave, ndërsa xhepi është atdheu i tyre i vërtetë!
Fatkeqësisht, politika në shumë vende të botës është shndërruar në teatër të neveritshëm, ku aktorët më të dobët moralë luajnë rolin e burrështetasve të mëdhenj. Por në Ballkanin tonë, kjo shfaqje shpesh merr përmasa tragjikomike: politikanë që premtojnë parajsën, ndërtojnë rehatinë e tyre dhe popullit ia lënë faturën për ta paguar.
Dhe jo, nuk mund t’ia faturojmë këtë turp vetëm politikanëve shqiptarë. Kjo sëmundje nuk njeh kombësi, flamur apo parti. Ka vetëm një ideologji të përbashkët: lakminë pa kufi, gënjeshtrën pa turp dhe pushtetin pa përgjegjësi.
Këta janë njerëzit që e kanë gërryer besimin e qytetarëve, e kanë lodhur popullin dhe ua kanë vjedhur shpresën brezave. E megjithatë, sa herë afrohen zgjedhjet, rikthehen me buzëqeshje të lustruara, premtime të ricikluara dhe duar të shtrira për votën, sikur populli të vuante nga amnezia kolektive.
Në fund, politikanin e korruptuar nuk e tradhton mungesa e fjalëve të bukura, por teprica e pasurisë së pajustifikuar, mungesa e përgjegjësisë dhe frika nga drejtësia.
Sepse pushteti nuk ta zbulon gjithmonë karakterin; shpesh vetëm ia heq maskën.
Dhe populli?
Populli nuk ka nevojë për më shumë shpëtimtarë me kravata të shtrenjta. Ka nevojë për njerëz me karakter, me integritet dhe me frikë nga ligji — jo për politikanë që kanë frikë vetëm se mos ua humb populli pushtetin, privilegjet dhe çelësat e kasafortës!

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram