Në kuadër të iniciativës për të vizituar të gjitha prokuroritë e vendit, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, sot ka zhvilluar vizitë zyrtare në Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Qëllimi i këtyre vizitave ka qenë dëgjimi i drejtpërdrejtë i prokurorëve të shtetit lidhur me sfidat konkrete me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme, si dhe identifikimi i problematikave dhe nevojave profesionale, me synim adresimin e tyre dhe ofrimin e zgjidhjeve përkatëse institucionale.
Në anën tjetër, Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, ka shpalosur para prokurorëve të prokurorive respektive veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, me theks të veçantë krijimin e mekanizmave që kanë për qëllim avancimin e cilësisë së punës dhe forcimin e integritetit të prokurorëve të shtetit.
Gjithashtu, Kryeprokurori i Shtetit iu ka ofruar mbështetje të parezervë prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë në ushtrimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor në funksion të forcimit të sundimit, duke kërkuar ngritje të efikasitetit, profesionalizmit dhe forcim të llogaridhënies nga ana e prokurorive respektive.

