v
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin ka diskutuar për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballen komunitetet joshumicë, zbatimi i Strategjisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, si dhe procesi i verifikimit të diplomave dhe vështirësitë në punën e komisionit përkatës.
Një tjetër temë ishte përmirësimi i procesit të kthimit të personave të zhvendosur, me theks te krijimi i kushteve për kthim të sigurt dhe të qëndrueshëm. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e thjeshtimit të procedurave administrative dhe ofrimit të informacionit në kohë për personat që dëshirojnë të realizojnë të drejtën e kthimit.
Sipas njoftimit, takimi shërbeu edhe për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Ambasadës së Francës, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe adresimin e çështjeve që ndikojnë në pozitën e tyre.
Ministria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të vazhdojë të ndjekë standardet evropiane dhe praktikat e mira, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e besimit të ndërsjellë dhe krijimin e kushteve për kthimin e sigurt dhe të qëndrueshëm të personave të zhvendosur.

