Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për rastin e ngatërrimit të foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” në Graçanicë do të merren të gjitha masat e nevojshme dhe se nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga institucionet përgjegjëse.
Vitia ka bërë të ditur se disa zyrtarë të përfshirë në inspektimin e rastit janë proceduar për Komision Disiplinor, ndërsa ndaj tyre janë shqyrtuar edhe masa të tjera, për shkak të shkeljeve të supozuara gjatë inspektimit.
“Dje ka pasur një takim të kryeinspektorit dhe janë proceduar për Komision Disiplinor dhe vërejtje të tjera disa nga ata që për momentin supozohet se kanë bërë shkelje gjatë inspektimit. Kështu që të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”, ka deklaruar Vitia.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rastet kur janë të pakënaqur me veprimet ose vendimet e Inspektoratit Shëndetësor, t’i drejtohen edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri ka theksuar se inspektorët shëndetësorë kanë përgjegjësi të mbikëqyrin si institucionet publike, ashtu edhe ato private, por ka pranuar se kontrollimi i të gjitha institucioneve në kohë reale është i pamundur.
“E rëndësishme është që, kur bëhet kontrolli dhe identifikohen shkeljet, kudo që ato janë, të merren masat adekuate, konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Vitia.
Sa u përket sqarimeve për veprimet e inspektorëve dhe masat e ndërmarra, ai ka thënë se për më shumë detaje mund të pyetet kryeinspektori shëndetësor.
Ngatërrimi i foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” raportohet se ka ndodhur më 18 mars 2026. Sipas ankesës së familjes, foshnja është marrë nga stafi mjekësor dhe të nesërmen nënës i është dorëzuar një foshnjë tjetër. Pas insistimit të prindërve dhe verifikimeve të mëvonshme, është konstatuar ngatërrimi.
Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka bërë të ditur se lidhur me rastin e foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë, Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Sipas MSH-së, inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.
“Nga kontrolli i dokumenteve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA). Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa: • Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. • Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim. • Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka shprehur keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjes së prekur.

