Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur sot një ligjëratë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku ka bashkëbiseduar me studentët e shkencave sociale për demokracinë parlamentare, historinë e përfaqësimit politik në Kosovë dhe të ardhmen evropiane e euroatlantike të vendit.
Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se diskutimet u përqendruan te pushteti që buron nga qytetarët, përgjegjësia që vjen me të dhe rëndësia e debatit në një demokraci që kërkon angazhimin e secilit brez.
Po ashtu kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, takoi rektoren Fitore Malaj dhe drejtuesit e tjerë të universitetit.
Ajo bëri të ditur se diskutuan për arsimin e lartë në Kosovë, sfidat me të cilat përballen universitetet dhe mundësitë që duhet t’u krijohen të rinjve për studim dhe hulumtim.
Haxhiu vizitoi edhe laboratorin e shkencave sociale, ku u njoh nga afër me hapësirat për punën praktike dhe kërkimore të studentëve.
Ajo theksoi se të rinjtë e Kosovës kanë talent dhe ambicie, duke shtuar se meritojnë universitete që nxisin kureshtjen, zhvillojnë aftësitë dhe u mundësojnë realizimin e synimeve të tyre.

