Wednesday, October 21, 2026
HomeLajmeKosovëKonushevci: Financimi i protezave për invalidët e luftës do të vazhdojë

Konushevci: Financimi i protezave për invalidët e luftës do të vazhdojë

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, Arton Konushevci, ka deklaruar se financimi i protezave dhe pajisjeve të tjera mjekësore për invalidët e luftës do të vazhdojë, pavarësisht mosmiratimit të amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë në Komisionin për Buxhet.

Në një sqarim në Facebook, Konushevci ka thënë se mosmiratimi i amendamentit nuk nënkupton ndërprerjen e financimit për këtë shërbim, pasi, sipas tij, ekziston një mekanizëm që funksionon që nga viti 2023.

Ai ka bërë të ditur se mbulimi i shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së ka nisur në vitin 2023, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 është zgjeruar edhe për invalidët civilë të luftës. Sipas tij, përfituesit mund ta zgjedhin vetë institucionin ku dëshirojnë ta marrin shërbimin, ndërsa shpenzimet u mbulohen plotësisht.

Konushevci ka deklaruar se deri më tani kanë përfituar 103 persona, me rimbursime të miratuara në vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 488 mijë e 631 eurosh.

Prej tyre, 58 janë invalidë të luftës së UÇK-së, me rimbursime në vlerë prej 1 milion e 22 mijë e 570 eurosh, ndërsa 45 janë invalidë civilë të luftës, me rimbursime në vlerë prej 466 mijë e 61 eurosh.

Ai ka shtuar se, sipas informacioneve që posedon, aktualisht nuk ka kërkesa për proteza në pritje të trajtimit.

Kryetari i Komisionit ka theksuar gjithashtu se financimi i këtij shërbimi është institucionalizuar përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, duke e larguar administrimin e tij nga vendimmarrja e një personi të vetëm.

Duke iu referuar debatit parlamentar për amendamentin, Konushevci ka vlerësuar se kjo çështje është përdorur edhe për qëllime politike. Ai ka thënë se edhe anëtarë të opozitës në komision kanë qenë në dijeni të mekanizmit ekzistues të financimit.

Sipas tij, kjo çështje duhet të trajtohet me përgjegjësi institucionale, në mënyrë që të mos krijohet pasiguri te përfituesit për të drejtat e tyre.

Konushevci ka theksuar se do të vazhdojë mbikëqyrjen parlamentare të zbatimit të mekanizmit të financimit dhe angazhimin për përmirësimin e trajtimit të kategorive të dala nga lufta.

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, Arton Konushevci, ka deklaruar se financimi i protezave dhe pajisjeve të tjera mjekësore për invalidët e luftës do të vazhdojë, pavarësisht mosmiratimit të amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë në Komisionin për Buxhet.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram