Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka raportuar ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca lidhur me raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se pasqyrat vjetore financiare janë në përputhje me rregullat fiskale në fuqi dhe se janë audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
“Konstatojmë se pasqyrat vjetore financiare që po paraqesim para jush konfirmojnë zbatueshmërinë e rregullave fiskale në fuqi, në bazë të legjislacionit përkatës për financat publike, si dhe të njëjtat pasqyra, pra, janë të audituara edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, tha ai.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, teksa shpalosi raportin theksoi se mungesa e Kuvendit e në veçanti e këtij komisioni për një kohë të konsiderueshme ka qenë një hendek i madh, pasi raportet e auditimit dhe rekomandimet kanë mbetur të pashqyrtuara dhe ka zbehur ndikimin e punës audituese në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
“Në lidhje me auditimin e raportit të qeverisë për buxhetin e shtetit për vitin 2025, ZKA ka vlerësuar se cilësia e raportimit financiar ka shënuar rritje ndër vite dhe është në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore për raportim. Në bazë të rezultateve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar që nënkupton se përveç ndikimit të çështjeve të evidentuara në bazën për opinionin e kualifikuar, raporti financiar paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar. Përkundër se nga viti në vit vërehen përmirësime, rezultatet e auditimeve tregojnë se ende ekzistojnë mangësi qoftë në aspekte të pajtueshmërisë në kornizën ligjore, ashtu edhe në aspekte të tjera të përmbushjes së objektivave në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve”, theksoi ajo.

