Ka nisur aksioni për largimin e mbeturinave dhe materialeve të grumbulluara ndër vite në hapësirat e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, me synim pastrimin dhe rregullimin e kësaj hapësire publike.
Aksionari i Kuvendit të Prishtinës në Stacionin e Autobusëve dhe njëherësh asamblist, Yll Bogaj, ka njoftuar për nisjen e aksionit për pastrimin dhe rregullimin e hapësirave të Stacionit të Autobusëve, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Lokale “Gjelbër”.
Aksioni, sipas tij, ka për qëllim largimin e mbeturinave dhe materialeve të grumbulluara ndër vite, me synimin për të përmirësuar pastërtinë dhe gjendjen e përgjithshme të hapësirave të stacionit.
“Stacioni i Autobusëve është një nga pikat kryesore hyrëse të Kryeqytetit dhe meriton të jetë i pastër, i sigurt, funksional dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët e vizitorët”, ka deklaruar Bogaj.
Ai e ka cilësuar aksionin si një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve dhe rikthimit të rendit në hapësirat publike.
Me këtë rast, Bogaj ka falënderuar ekipet e NPL “Gjelbër” dhe punëtorët e angazhuar për kontributin dhe përkushtimin e tyre.
“Prishtina e pastër, e rregullt dhe funksionale është përgjegjësi e përbashkët!”, ka përfunduar ai.

