Ministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli ka vizituar Shtimen, ku së bashku me kryetarin e komunës, Qemajl Aliu, dhe stafin e tij, ka diskutuar për projekte të reja zhvillimore, përfshirë krijimin e parqeve dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra.
Pacolli ka bërë të ditur se gjatë takimit është dakorduar bashkëpunimi për projektimin e parkut të qytetit, parkut pranë objektit të ri të komunës, si dhe për trajtimin e hapësirës prej 25 hektarësh te Pishat e Shtimes.
“Ka ardhur koha ta ndryshojmë mënyrën se si i planifikojmë dhe i ndërtojmë qytetet tona. Më shumë gjelbërim, më shumë hapësira publike dhe zgjidhje që e vendosin natyrën dhe qytetarin në qendër të zhvillimit”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ajo ka theksuar se synimi është ridizajnimi i qendrës së Shtimes, duke i kushtuar më shumë rëndësi hapësirave publike dhe gjelbërimit.

