Friday, October 23, 2026
HomeLajmeStudentët vijojnë protestën para Kryeministrisë në Tiranë

Studentët vijojnë protestën para Kryeministrisë në Tiranë

Protestës së studentëve në ditën e 11-të të saj i janë bashkuar edhe sot pedagogë të universiteteve si dhe qytetarë.

Pedagogë e studentë u mblodhën fillimisht para Universitetit Politeknik të Tiranës, nga ku kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Aleksandër Kovaçi tha për mediet se “është një ndërgjegjësim ndërkombëtar që ndodh me intelektualët e Shqipërisë. Duhet të jemi më të bashkëpunuar për këtë kauzë kaq të fortë”.

“Ne jemi sindikata e universiteteve, jemi të përqendruar te studentët dhe jemi këtu. Të marrë fund diktati në universitete. Ne do t’i bashkangjitemi protestës së studentëve. Aty ku janë ata do të jemi edhe ne”, tha Kovaçi.

Protestës së sotme para godinës së qeverisë i janë bashkuar edhe një grup  studentësh të mjekësisë të veshur me uniformat e bardha dhe me maska kirurgjikale.

“Bashkohuni me ne”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar” janë thirrjet e të rinjve, ndërsa ecin nëpër rrugët e Tiranës.

Një grup profesionistësh të shëndetësisë i janë bashkuar protestës së studentëve, ku mbajtën edhe një deklaratë të personelit shëndetësor duke apeluar që protestuesit të ruajnë karakterin paqësor të protestës dhe të mbrojnë njëri-tjetrin duke shmangur veprimet që rrezikojnë jetën.

Mjeku dhe pedagogu Ermal Pashaj tha se “ne nënshkruesit e kësaj deklarate, mjek, stomatologë, farmacitë dhe punonjës të tjerë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë, misioni ynë për të mbrojtur jetën dhe shëndetin dhe lehtësuar vuajtjen na ngarkon me përgjegjësinë të reagojmë kur cenohet integriteti dhe dinjiteti njerëzor. Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore”.

Ai dënoi dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe atyre që janë angazhuar për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve.

Pashaj tha se “arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve. Në kushtet e krijuara për mbrojtjen e jetës, kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme. Ky grupim kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes si përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike që të mundësojë daljen paqësore nga kjo situatë, funksionimin e institucioneve dhe rikthimin e besimit qytetar dhe respektimin e vullnetit të tyre”.

Kreu i Sindikatës së Mjekëve, Gentian Stroni deklaroi nga protesta se kërkesat e studentëve janë legjitime dhe të gjithë duhet t’i mbështesin ata. “Ne do duhet të luftojmë që kjo rini duhet të marrë fatet e vendit në dorë. Ne nuk e duam dhunën fizike, ne duam të përkrahim studentët, që këta studentë të mos goditen. Ne nuk do donim që të ngjisnim kockat e shqiptarëve, qoftë nga studentët, qoftë nga policia. Duhet vetëpërmbajtje nga të dyja palët”, tha ai.

Pedagogu dhe ish-deputeti, Aleksandër Biberaj i pranishëm në protestë tha se kërkesa e tyre është e panegocueshme, dorëheqje pa kushte i kryeministrit.

Studentë, pedagogë dhe qytetar po protestojnë prej 11 ditësh në Tiranë kundër klasës aktuale politike, dorëheqjen e kreut të qeverisë si dhe për kushte më të mira arsimimi dhe jetese.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram