Jeta në pothuajse të gjithë Tajvanin u ndal të premten përpara mbërritjes së ndikimit më të fortë të tajfunit Champi, i cili po lëviz drejt ishullit dhe, megjithëse po dobësohet, pritet të sjellë erëra të stuhishme dhe shira të rrëmbyeshëm.
Champi në një moment ishte një supertajfun dhe një nga stuhitë më të forta në Oqeanin Paqësor këtë vit. Në qendër të tij, erërat arritën shpejtësi deri në 191 kilometra në orë, tha Administrata Meteorologjike e Tajvanit (CWA).
CWA parashikon që stuhia do të kalojë në verilindje të kombit ishullor, pastaj do të kthehet në veri drejt bregdetit kinez dhe më pas drejt Japonisë jugore.
Në Tajvan, një person ka vdekur tashmë dhe 94 janë plagosur si pasojë e stuhisë, raporton Reuters. Qeveria ka evakuuar gati 1,300 persona nga zonat malore.Qytetet bregdetare morën paralajmërime për erëra me shpejtësi mbi 150 km/orë. Banorëve iu bë thirrje të kërkonin strehim menjëherë.
Meteorologët tajvanezë thonë se rrezja e stuhisë është rreth 320 km, mjaftueshëm e madhe për të mbuluar pjesën më të madhe të ishullit. Ata paralajmërojnë se stuhia mund të zgjasë në Tajvan për dy ditë.
Ministria e Transportit njoftoi se të gjitha 262 fluturimet vendase dhe 717 fluturimet ndërkombëtare u anuluan për të premten.Tajvani në përgjithësi është shumë mirë i përgatitur për tajfunet, prandaj numri i viktimave është gjithmonë i ulët, raporton Reuters. Edhe pse ato janë më të zakonshme në verë, stuhitë mund ta godasin vendin edhe në vjeshtë.

