Përplasje, incidente dhe dëme janë regjistruar sot në sheshin “Skënderbej” gjatë protestës së 12 në Tiranë.
Protestuesit kanë hedhur bomba molotov, fishekzjarre dhe gurë ndaj policisë.
Gjatë këtyre përplasjeve raportohet se një efektiv policie ka marrë flakë, ndërsa kolegët e tij kanë ndërhyrë për t’i shuar flakët dhe për t’i ardhur në ndihmë.
Mediat në Shqipëri shkruajnë se përdorimi i molotovëve nga protestuesit dhe gazit lotsjellës nga policia ka shoqëruar përplasjet në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e Policisë janë angazhuar për menaxhimin e situatës.
Forcat RENEA pozicionohen te Kryeministria, protestuesit grupohen në disa zona
(E përditësuar) Në vijim të zhvillimeve në terren, situata në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ka pësuar ndryshime sa i përket vendosjes së forcave të rendit dhe lëvizjes së turmës. Aktualisht, efektivat e repartit special RENEA kanë marrë pozicione përgjatë perimetrit të godinës së Kryeministrisë për të garantuar sigurinë e objektit.
Ndërkohë, trupa të Policisë së Shtetit kanë ndryshuar formacionin e tyre. Një pjesë e forcave të rendit është zhvendosur nga kryeministria drejt Urës së Lanës, ndërsa efektiva të tjerë janë pozicionuar në hyrje të Bulevardit, pranë godinës së Ministrisë së Brendshme.
Sipas pamjeve nga terreni, në bulevard ndodhen pak protestues, pasi pjesa më e madhe e tyre është shpërndarë.
Lëvizja e turmës ka vijuar në disa akse kryesore të kryeqytetit. Protestuesit janë fragmentuar në disa grupe më të vogla, të cilat janë zhvendosur përkatësisht drejt Sheshit Skënderbej, Rrugës “Myslym Shyri”, zonës së Parkut Rinia, si dhe në drejtim të Rrugës së Elbasanit.
Tensione në Tiranë, protestuesit hedhin gurë, policia përdor gaz lotsjellës
Protesta e studentëve dhe qytetarëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, e nisur në orën 14:00, është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, RTSH dhe ATSH, disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të Policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Gjatë tubimit janë djegur edhe disa kazanë mbeturinash.
Ndërkohë, protestës së studentëve iu bashkuan edhe deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët fillimisht ishin mbledhur para Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.
Sipas Top Channel dhe ATSH-së, me mbërritjen e tyre në zonën e Rrugës së Durrësit, protestuesit demokratë u pritën nga të rinjtë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Më herët, gjatë protestës para Kryeministrisë, ishin djegur ulëset e vendosura nga kryeministri Edi Rama në kuadër të thirrjes së tij për dialog.
Studentët kërkojnë kushte më të mira arsimore dhe një të ardhme brenda vendit, ndërsa në protestë janë shprehur edhe kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Sipas raportimeve të mediave, pas ndërhyrjes së policisë, një pjesë e protestuesve janë zhvendosur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë.
PD proteston para Kryeministrisë në Tiranë, digjen ulëset e vendosura për dialog
Partia Demokratike e Shqipërisë po zhvillon sot një protestë para Kryeministrisë në Tiranë, në mbështetje të studentëve dhe të rinjve që po protestojnë prej 12 ditësh.
Sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë mbledhur deputetë të PD-së, simpatizantë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit.
Marshimi drejt Kryeministrisë
Siç raporton Top Channel, protestuesit kanë marshuar nga selia e PD-së drejt godinës së Kryeministrisë, me deputetët Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj në krye.
Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), një pjesë e simpatizantëve të PD-së u kanë vënë flakën ulëseve me jastëkë të vendosura para Kryeministrisë si ftesë simbolike nga kryeministri Edi Rama për “dialog” me studentët.
Vazhdon protesta studentore
Protesta e sotme përkon me ditën e 12-të të protestës studentore, ndërsa studentët kanë thirrur tubim para Ministrisë së Arsimit në orën 14:00.
Sipas mediave shqiptare, me protestën studentore janë solidarizuar edhe pedagogë, mjekë dhe sindikata e biznesit të vogël, ndërsa pritet pjesëmarrja edhe e studentëve nga qytetet e tjera.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë, pas thirrjeve në rrjetet sociale për veprime të dhunshme gjatë tubimit.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se tubimi duhet të zhvillohet paqësisht dhe në respektim të ligjit

