Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka marrë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së sotme denoncime dhe ankesa gazetarësh të cilët janë përballur gjatë ditës së sotme me momente dhe episode të dhunshme dhe me risk të lartë lëndimesh, goditjesh dhe kërcënimesh serioze për trupat e tyre.
Publikimi i një videoje nga kolegu Bekim Bici, ku shihet qartë drejtimi i armës nga një distancë e afërt, e një punonjësi policie ndaj grupit të reporterëve, operatorëve të mediave, është tronditës dhe meriton hetim të menjëhershëm.
Ndërkohë nga kolegë gazetarë të pranishëm në mjediset ku vijonin përballjet e protestuesve me trupat e policisë, bëhet e ditur se, nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndaj tyre është përdorur qëllimisht sprajt. Diçka e tillë është hedhur në drejtim të gazetares Glidona Daci, dhe operatorit Jurgen Lapaj, të cilët punojnë për Klan News.
Ky rast dhe katër episode dhe incidente të ndodhura më herët, gjatë ditës së sotme, janë shqetësim serioz për sigurinë e gazetarëve në detyrë.
UGSH rishtazi u drejtohet organeve të prokurorisë dhe drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, t’i marrin seriozisht në konsideratë, denoncimet, ankesat dhe kërkesat tona për ndëshkimin e autorëve të kërcënimeve, dhunimeve dhe agresimeve të gazetarëve.
Këto raste janë goditje me pasoja mbi lirinë e raportimit dhe komunitetin e gazetarëve nga individët që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit dhe që do të duhej të ishin garantues i sigurisë dhe rendit.
Këto incidente kanë alarmuar jo vetëm organizatat dhe komunitetin tonë në Shqipëri, por edhe rrjetet e organizatave më të famshme të gazetarëve në Botë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

