Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.
Në një video të publikuar në Facebook, Kurti u ka kërkuar qytetarëve që ende nuk kanë votuar ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja në votime është e rëndësishme për përfaqësimin e shqiptarëve dhe angazhimin për barazi.
“Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17, për një përfaqësim më të fuqishëm dhe për mundësi që, siç është shprehur ai, “secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje”.

