Sunday, October 25, 2026
HomeLajmeKosovëProtestat në Tiranë, dita e 13-të: Të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Protestat në Tiranë, dita e 13-të: Të rinjtë kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Studentë, të rinj dhe qytetarë janë mbledhur pasditen e sotme para Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit në Tiranë, në ditën e 13-të të protestave kundër qeverisë.

 

Protestuesit, të pajisur me flamuj kombëtarë dhe pankarta, kërkojnë ndryshime në klasën politike dhe vijojnë të bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës së djeshme, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje të dhunshme.

Gjatë protestës, të rinjtë kanë drejtuar thirrje kundër Policisë, duke e akuzuar atë për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

Në fillim, tubimi nisi i qetë, ndërsa forcat e rendit vendosën një perimetër sigurie rreth zonës dhe qëndruan në gatishmëri për të garantuar sigurinë. Pranë godinës së Ministrisë së Arsimit u pozicionuan edhe autobotët e ujit të Policisë.

Më vonë, disa protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por veprimet zgjatën për një kohë të shkurtër.

Protestat, të nisura para dy javësh, janë shoqëruar me përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve, duke shkaktuar dhjetëra të lënduar nga të dyja palët. Gjatë incidenteve janë dëmtuar edhe institucione shtetërore, si dhe biznese të vogla e të mesme, disa prej të cilave janë djegur.

Pavarësisht tensioneve, studentët dhe të rinjtë vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, ndërsa kanë refuzuar ftesat e tij për dialog.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama prezantoi sot një paketë të re ligjore që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj personave që përfshihen në protesta të dhunshme.

Situata para Ministrisë së Arsimit mbetet në fokus të zhvillimeve politike në vend, ndërsa protestat vijojnë mes kërkesave për ndryshime politike dhe debatit mbi masat e rendit publik.

Protestë para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, policia në gatishmëri

Ka nisur grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, ndërsa forcat e policisë janë pozicionuar pranë godinës për të monitoruar situatën. Ndërkohë, autobotët e policisë janë vendosur në rrugë, në kuadër të masave të sigurisë.

Protesta e sotme ishte njoftuar për orën 14:00 dhe zhvillohet një ditë pas protestës kombëtare të së shtunës, e cila u shoqërua me incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Si pasojë e ngjarjeve të djeshme, 23 persona mbetën të plagosur. Mes tyre ishte edhe 28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy.

Ndryshe nga situata e tensionuar e një dite më parë, deri në këto momente, grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit po zhvillohet në qetësi.

Policia vijon të qëndrojë në gatishmëri, ndërsa pritet të shihet se si do të vijojë protesta gjatë orëve në vijim.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram