Monday, October 26, 2026
HomeLajmeKosovëProkuroria me aktakuzë të re ndaj një të dyshuari për rastin e...

Prokuroria me aktakuzë të re ndaj një të dyshuari për rastin e Banjskës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet S.R., nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Në njoftim thuhet se S.R., së bashku me të pandehurit e tjerë ndaj të cilëve ishte ngritur aktakuzë më 11 shtator 2024, dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, si pjesë e një grupi terrorist të strukturuar dhe të armatosur rëndë.

Si pasojë e sulmit në Banjskë, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, A.B., ndërsa një zyrtar policor u plagos dhe disa të tjerë u lënduan.

Sipas Prokurorisë Speciale, qëllimi i grupit ishte destabilizimi i strukturave themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe shkëputja e pjesës veriore të territorit të vendit, me synimin për t’ia bashkuar atë Republikës së Serbisë.

Aktakuza ndaj S.R. vjen si vazhdim i procedurës penale në rastin “Banjska”. Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve për përfshirjen e dyshuar në këtë rast.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj të pandehurit S.R. është në fuqi masa e paraburgimit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram