Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së martës në fshatin Zhub të Gjakovës.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, dy nga të lënduarit, një grua dhe një fëmijë, kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.
“Rreth orës 17:30, në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës janë paraqitur pesë persona të lënduar në një aksident komunikacioni në fshatin Zhub të Gjakovës. Dy prej tyre, një grua dhe një fëmijë, kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Ndërkaq, tre personat e tjerë të përfshirë në aksident kanë mbetur për trajtim në Spitalin e Gjakovës. Dy prej tyre janë pranuar në Repartin e Ortopedisë, ndërsa personi tjetër në Repartin e Kirurgjisë.
Sa i përket gjendjes së tyre shëndetësore, spitali ka bërë të ditur se ajo është stabile.
“Gjendja e tyre e përgjithshme është stabile”, thuhet në njoftim.

