Wednesday, October 28, 2026
HomeLajmeKosovëKurti kërkon shërbime më të thjeshta dhe institucione më transparente

Kurti kërkon shërbime më të thjeshta dhe institucione më transparente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e katërt të konferencës ndërkombëtare KosovaPAR 2026, ku në fokus është reforma e administratës publike, digjitalizimi dhe forcimi i besimit të qytetarëve në institucione.

Konferenca, e organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, këtë vit po mbahet nën temën “Vlera publike dhe e mira e përbashkët – njerëzit, besimi dhe digjitalizimi”.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka theksuar se qytetarët presin shërbime cilësore, institucione transparente dhe përgjegjësi më të madhe nga administrata publike.

“Qytetarët presin shërbime cilësore, vendime të drejta, institucione transparente dhe një shtet i cili u përgjigjet nevojave të tyre”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se reforma e administratës publike duhet të sjellë rezultate konkrete në jetën e qytetarëve, ndërsa institucionet duhet të bashkëpunojnë për t’i bërë shërbimet më të thjeshta dhe më të qasshme.

“Qytetari nuk duhet ta njohë hartën administrative të shtetit për të marrë një shërbim. Janë institucionet ato që duhet të koordinohen dhe t’i përgjigjen atij në mënyrë sa më të thjeshtë e më të integruar”, ka theksuar kryeministri.

Kurti ka folur edhe për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, duke nënvizuar se teknologjia duhet të përdoret me përgjegjësi dhe në funksion të interesit publik.

“Teknologjia duhet t’i shërbejë interesit publik. Përdorimi i inteligjencës artificiale duhet të jetë i përgjegjshëm, transparent dhe i sigurt, me mbikëqyrje njerëzore dhe respekt për të drejtat e qytetarëve”, ka thënë ai.

Kryeministri ka theksuar gjithashtu se besimi në institucione ndërtohet përmes vendimeve të drejta, transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa profesionalizimi i administratës mbetet i rëndësishëm për avancimin e reformave dhe integrimin evropian të Kosovës.

Ndërsa ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka theksuar rëndësinë e reformave dhe përmirësimit të shërbimeve publike.

“Rezultati i vërtetë është një shërbim më i mirë, një vendimmarrje më e drejtë dhe një institucion që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe mban përgjegjësi për punën e tij”, ka deklaruar Jagxhiu.

Konferenca KosovaPAR 2026 shërben si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e praktikave që synojnë ndërtimin e një administrate publike më efikase dhe më të orientuar drejt qytetarëve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram