Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media së bashku me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka prezantuar gjetjet e raportit për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.
Sveçla bëri të ditur se, përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, gjatë ditëve të fundit janë verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës lidhur me raportimet dhe kërkesat për mbrojtjen e Arlindës.
Ai njoftoi se, bazuar në gjetjet e raportit, janë pezulluar 19 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë nga zinxhiri komandues dhe sektori i hetimeve.
“Shkeljet e identifikuara përfshijnë mosekszekutimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, si dhe mospërfilljen e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut”, deklaroi Sveçla.
Sipas tij, raporti evidenton shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë, ndërsa gjetjet pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria.
Ministri bëri të ditur se raportin mbi veprimet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor ia kishte dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, ndërsa theksoi se hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera.
Ai theksoi se pezullimet nuk janë të mjaftueshme pa një hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë për secilin zyrtar që ka neglizhuar detyrat e tij.
“Asnjë uniformë, asnjë gradë dhe asnjë pozitë komanduese nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë”, u shpreh ministri.
Sveçla shtoi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj, ndërsa institucionet kishin pasur detyrim të vepronin në kohë për të garantuar sigurinë e saj.
“Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Institucionet kishin detyrimin të vepronin”, theksoi ai.
Gjatë konferencës, ministri bëri të ditur edhe se, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, është përpiluar një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë që monitorohen nga Policia e Kosovës.
Sipas Sveçlës, janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar mbi veprimet dhe masat e ndërmarra. Po ashtu, janë përfshirë edhe rastet e vlerësuara me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se 70 raste aktualisht janë nën monitorim elektronik, si pjesë e mekanizmave shtesë për mbrojtjen e personave që ndodhen në rrezik.
Megjithatë, Sveçla theksoi se pajisjet teknologjike dhe mekanizmat mbrojtës nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë njerëzore dhe profesionale të zyrtarëve që duhet të reagojnë në kohë dhe në përputhje me ligjin.
Ai shtoi se, përveç hetimit të plotë të rastit të Arlindës, është e domosdoshme që gjetjet e raportit të shërbejnë edhe për identifikimin dhe adresimin e mangësive në procedurat institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund”, tha Sveçla.
Ai shtoi se çdo qytetar dhe qytetare që kërkon mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të ketë sigurinë se zëri i tyre do të dëgjohet, raportimi i tyre do të trajtohet me seriozitet dhe jeta e tyre do të mbrohet.
“Për t’u arritur kjo, duhet i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse të funksionojë. Nuk guxojmë të lejojmë asnjë halkë të dështojë. Ky është detyrimi ynë institucional dhe standardi nga i cili nuk mund dhe nuk duhet të ketë shmangje”, tha ai.
Sveçla është pyetur nga mediat për mundësinë e dorëheqjes.
“Ju e dini shumë mirë se para diku 10 vitesh, unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, pa pasur kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë. Tash, unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribonte në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqë ne jemi të angazhuar 100% në përmbushjen e detyrave tona në këtë pike”, tha ai.
Ministri tha se i kupton pakënaqësitë dhe indinjatën e qytetarëve pas vrasjes së Arlindës, duke theksuar se edhe vetë është në mbështetje të kërkesave të tyre.
“T’ju thëm të drejtën, unë personalisht jam bashkë me protestuesit. Kuptoj edhe indinjatën e mllefin e protestuesve dhe po punojmë si institucione që të plotësojmë të gjitha ato kërkesa të cilat kërkohen sipas ligjit, në mënyrë që të parandalojmë përsëritjen e rasteve të këtilla, por në të njëjtën kohë edhe të hetojmë e të vlerësojmë rastet paraprake për lëshime potenciale”, nënvizoi ai.

