Tuesday, November 3, 2026
HomeEkonomiBQK prezanton reformat financiare para përfaqësuesve diplomatikë

BQK prezanton reformat financiare para përfaqësuesve diplomatikë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka informuar shefat dhe përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë për zhvillimet në sektorin financiar, reformat institucionale dhe procesin e integrimit financiar evropian.

Në takimin ku morën pjesë edhe zëvendësguvernatorët, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, Ismaili prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe treguesit e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.

Ai theksoi se treguesit e kapitalizimit, likuiditetit dhe cilësisë së kredive dëshmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar, ndërsa BQK-ja po avancon reformat në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin e rregullativës me standardet e Bashkimit Evropian.

Një ndër prioritetet e diskutuara ishte edhe integrimi financiar evropian, me theks në finalizimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimin e sistemit TIPS-K për pagesa të shpejta, në bashkëpunim me Bankën e Italisë.

Sipas BQK-së, këto iniciativa synojnë modernizimin e infrastrukturës së pagesave, uljen e kostove të transaksioneve dhe forcimin e ndërlidhjes financiare të Kosovës me Evropën.

“Stabiliteti financiar, reformat institucionale dhe integrimi evropian janë prioritete që përforcojnë njëra-tjetrën. Objektivi ynë është që përafrimi me standardet evropiane të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë”, ka thënë Ismaili.

Në fund të takimit, guvernatori falënderoi përfaqësuesit diplomatikë dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe asistencën teknike në mbështetje të reformave të Bankës Qendrore.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram