Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të nisë inspektime në furrat dhe byrektoret në gjithë vendin, pas dyshimeve për përdorimin e yndyrës së palmës si zëvendësues të gjizës së prodhuar nga qumështi.
Në një reagim publik, Shoqata ka ngritur shqetësimin se konsumatorët mund të paguajnë për gjizë të mirëfilltë, ndërkohë që në produkte mund të përdoren yndyra bimore të padeklaruara.
“Kjo nuk mund të trajtohet më si një çështje e parëndësishme. Nëse një biznes përdor me vetëdije yndyrë palme apo përzierje me yndyra bimore dhe ua shet konsumatorëve si gjizë të mirëfilltë, atëherë ky është mashtrim i qëllimshëm i konsumatorit”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
SHQK kërkon inspektime të menjëhershme, analiza laboratorike për identifikimin e zëvendësuesve të padeklaruar të gjizës, si dhe ndalimin e shitjes së produkteve në të cilat vërtetohen shkelje.
Po ashtu, kërkon mbylljen e bizneseve dhe heqjen e licencave apo aprovimeve në rastet kur konstatohen shkelje të rënda që i justifikojnë këto masa ligjore.
Shoqata kërkon gjithashtu publikimin e rezultateve të kontrolleve dhe emrave të subjekteve që konstatohet se kanë shkelur ligjin, në mënyrë që konsumatorët të informohen për produktet që blejnë.

