Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti francez, Emmanuel Macron, pas marrjes së detyrës së saj të re.
Në mesazhin e tij, Macron i ka përcjellë urimet për detyrën e re, duke shprehur bindjen se zgjedhja e saj do të kontribuojë në rikthimin e progresit në fusha me rëndësi për integrimin evropian të Kosovës.
Presidenti francez ka përmendur gjithashtu raportet tradicionale ndërmjet dy shteteve, duke rikujtuar takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në mars të këtij viti.
Macron ka vlerësuar edhe vizitën e ministrit të deleguar francez për Evropën në Kosovë, gjatë korrikut, e cila u pasua me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në letrën drejtuar presidentes së Kosovës, kreu i shtetit francez ka vënë theks të veçantë edhe te procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.
“Dëshiroj të rikujtoj rëndësinë thelbësore të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit kanë përcaktuar drejtimin, ndërsa Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Të dyja palëve u takon të zbatojnë zotimet e marra”, ka theksuar Macron.

