Një tjetër sulm kibernetik ka ndodhur në Francë , këtë herë duke synuar një bankë të gjigantit financiar francez Credit Mutuel në Francën perëndimore ( Credit Mutuel Arkea ).
Sulmi çoi në një seri “transaksionesh mashtruese”, sipas një deklarate. Raportet e mediave lokale e vlerësojnë shumën e vjedhur në 133 milionë dollarë ( 118 milionë euro ).
Banka siguroi se sulmi “është nën kontroll” dhe se nuk do të ketë “pasoja financiare” për klientët e saj .
ZachXBT, një studiues anonim i pavarur në internet i specializuar në gjurmimin e fondeve në blockchain – sistemi mbi të cilin bazohen transaksionet e kriptomonedhave – e zbuloi mashtrimin nëpërmjet llogarive të tij në mediat sociale në fillim të kësaj jave.
Sipas tij, paratë që u tërhoqën ishin kanalizuar përmes llogarive të shumta , të cilat ishin hapur në platformat e shkëmbimit të kriptomonedhave .
Institucioni financiar nuk dha detaje se si u krye sulmi apo identitetin e autorëve, as nuk konfirmoi shumën e dëmit financiar, i cili u raportua fillimisht nga ZachXBT.
“Ekipet tona u mobilizuan menjëherë pas zbulimit të sulmit dhe, si masë paraprake, vendosën të pezullojnë përkohësisht disa transaksione në mënyrë që të sigurojnë funksionimin e sistemeve dhe të parandalojnë veprime të mëtejshme mashtruese”, tha Arkea.
Banka shtoi se transaksionet do të rikthehen së shpejti, pasi të përfundojnë kontrollet përfundimtare dhe të zbatohen të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.
Sulmi vjen në një kohë kur bizneset në të gjithë Evropën janë në gatishmëri të shtuar pas një serie sulmesh të dyshuara kibernetike ndaj frigoriferëve dhe ngrirësve të supermarketeve ditët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të operacioneve. Në Francë, një sulm i ngjashëm kibernetik ndaj një banke gjaku u raportua sot , vetëm disa javë pas një sulmi kibernetik që prishi sistemet e ftohjes së supermarketeve në vend.
Me informacion nga France24

