Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i ka bërë ftesë publike kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për një debat televiziv, pas polemikave të fundit që kanë zhvilluar në Facebook lidhur me kontratën “Smart”.
Kërçeli, përmes një reagimi në Facebook, i është drejtuar Ramës duke i kërkuar që të zgjedhë vetë moderatorin dhe televizionin ku do të zhvillohet debati.
“Zgjedhe moderatorin dhe televizionin, e hajde të debatojmë”, ka shkruar Kërçeli.
Ai ka shtuar edhe kritika ndaj Ramës, duke shkruar:
“Kryetar, nuk po më besohet në çfarë niveli amatorizmi ke rënë. Përnjëmend, rrena i ka këmbët e shkurtra!”
Ftesa për debat vjen pas përplasjes publike mes Kërçelit dhe Ramës, ku në qendër të diskutimit është kontrata “Smart”.
Rama i kundërpërgjigjet Kërçelit për kontratën “Smart”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, lidhur me kontratën 10-milionëshe për ndriçimin publik “Smart”, duke i cilësuar pretendimet e tij si përpjekje për manipulim të opinionit publik dhe show politik.
Rama ka sqaruar se çmimi prej 8.50 eurosh për metër të shiritit nuk paraqet vetëm koston e materialit, siç pretendon Kërçeli, por përfshin edhe një sërë shërbimesh të tjera të parapara me kontratë.
Sipas kryetarit të Prishtinës, në këtë çmim përfshihen furnizimi me material, transporti, angazhimi dhe puna e punonjësve, vendosja e shiritit në kanalin përkatës, garancia 10-vjeçare, mirëmbajtja pa kosto shtesë dhe TVSH-ja.
“Me i paraqitë krejt këto shërbime vetëm si çmim të një ‘shiriti’ është veprim i ulët”, ka deklaruar Rama në reagimin e tij.
Ai ka theksuar se procedura e prokurimit është trajtuar nga institucionet përkatëse, përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), auditorët e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe hetuesia.
Rama ka vënë në pikëpyetje edhe pretendimet e Kërçelit, duke kërkuar që deputeti të tregojë nëse konsideron se ka më shumë njohuri se institucionet që kanë trajtuar këtë procedurë.
“ Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon!”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj çdo deklarate që e konsideron shpifje, duke e lidhur reagimin e tij edhe me sulmet politike që, sipas tij, mund të pasojnë deklaratat e fundit për kryeministrin.
Ndërkohë, Kërçeli kishte publikuar një fotografi të shiritit, duke pretenduar se çmimi i tij është faturuar më shtrenjtë sesa vlera reale.
“Shiriti që po e shihni në foto është shiriti i famshëm që ka kushtuar herë 19 e herë 8.5 euro metri gjatësi”, ka shkruar Kërçeli.
Sipas tij, ky shirit kushton shumë më lire sesa që u është faturuar qytetarëve të Prishtinës.
Në anën tjetër, Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë ka dorëzuar një denoncim në Prokurorinë Speciale, duke pretenduar se kontrata “Smart” ka shkaktuar dëmtim të buxhetit komunal.

