Adjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Gjatë vizitës, Osborn, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar disa komanda dhe njësi të FSK-së, ku është njoftuar nga afër me organizimin, kapacitetet operacionale, pajisjet dhe infrastrukturën e Forcës, si dhe me procesin e zhvillimit dhe modernizimit të saj.
Sipas njoftimit të FSK-së, vizita është zhvilluar në kuadër të Partneritetit Ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Ajovës, i cili ndër vite ka kontribuar në zhvillimin profesional të FSK-së përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve operacionale.
Në përfundim të vizitës, gjenerallejtënant Jashari e ka falënderuar gjeneralmajorin Osborn për mbështetjen dhe përkushtimin në forcimin e partneritetit dypalësh.
FSK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në thellimin e këtij bashkëpunimi strategjik me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse.

