Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur, mbrëmë, në Zyrën e Kryeministrit studiuesin e eposit shqiptar, profesorin Zymer Ujkan Neziri, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Në takim, Neziri ishte i shoqëruar nga studiuesja Ina Arapi, studiuesi Ardian Ahmedaja nga Universiteti i Vjenës, studiuesi arbëresh Nicola Scaldaferri nga Universiteti i Milanos, si dhe e bija, Shqipe Neziri Vela.
Kurti ka vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Nezirit në mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e këngëve të eposit shqiptar, duke theksuar se puna e tij ka ruajtur nga harresa një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë gojore shqiptare.
Sipas Kurtit, falë punës së studiuesit, trashëgimia kulturore shqiptare është pasuruar me një korpus prej më shumë se 100 mijë vargjesh të këngëve kreshnike, të botuara në 15 vëllime.
Me këtë rast, Kurti i ka shprehur Nezirit mirënjohje për veprën e tij jetësore dhe kontributin në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë.

