Lëvizja ZNAM, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të mbahet në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes.
Lideri i kësaj partie, Maksim Dimitrievski, deklaroi se nëse Qeveria merr një vendim ndryshe, partia e tij është e gatshme të largohet nga koalicioni qeveritar.
Rreth këtij qëndrimi ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, duke thënë se Maksim Dimitrievski mund ta lëshojë Qeverinë, sepse e di se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Çështja e provimit të jurisprudencës i duhet për ta përdorur në fushatë, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Në takimin e fundit me studentët, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ofroi që 12 provime të jurisprudencës të mbahen në gjuhën shqipe dhe dy në maqedonisht.
“Parashikojmë të kërkojmë edhe një mendim brenda një afati të shkurtër nga Komisioni i Venecias, si organi më prestigjioz këshillëdhënës evropian për çështje kushtetuese dhe juridike”, tha Jeton Shasivari, ministër i Drejtësisë i RMV-së.
Profesori universitar Bashkim Selmani vlerëson se autoritetet maqedonase nuk duan kompromis që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Ai kërkon që fakultetet juridike të formojnë një trup pedagogësh, të cilët do ta realizonin provimin në gjuhën shqipe.
“Do të ishte ideja pozitive dhe zgjidhëse për momentin që fakultetet e drejtësisë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe kjo do të ishte pjesa më përzgjedhëse, sepse një proces i këtillë i nivelit akademik dhe universitar nuk u pengon. Prandaj, u apeloj të gjitha fakulteteve të drejtësisë, tri fakulteteve, të zgjedhin një trup pedagogësh, të cilët do ta mundësonin dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe”, tha profesor Selmani.
Që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, provimi i jurisprudencës në këtë vend nuk është dhënë asnjëherë në gjuhën shqipe.

