Të paktën katër persona u vranë dhe 88 të tjerë u plagosën në një përplasje treni që ndodhi të dielën në Egjipt , rreth 76 kilometra në jug të Kajros.
Autoriteti shtetëror hekurudhor njoftoi se një tren që udhëtonte nga Giza për në Fayoum u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër që udhëtonte nga Kajro për në Asuan , duke nxjerrë nga shinat disa vagona.
Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë, 72 ambulanca nxituan në vendin e aksidentit për të larguar dhe transportuar të lënduarit.
Të paktën 88 persona u dërguan në tre spitale të ndryshme.
Ndërhyrja e presidentit egjiptian
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha se po i ndiqte me interes të veçantë zhvillimet në lidhje me aksidentin hekurudhor.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se kishte udhëzuar agjencitë përkatëse shtetërore që të siguronin kujdesin e nevojshëm mjekësor për të lënduarit.
Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje për një hetim mbi rrethanat në të cilat ndodhi përplasja dhe që ata që kanë treguar neglizhencë të mbahen përgjegjës.

