Nga Zejdush KASTRATI
Personalisht, me të nuk më bashkon as profesioni, as rajoni prej nga vjen, as ideologjia, e as ambiciet. Madje, as mënyra e jetës që ai bën sot nuk më pëlqen fort dhe, sinqerisht, nuk e lakmoj aspak.
Ai është politikan.
Para luftës ishte i angazhuar në lëvizjen për çlirimin e Kosovës – respekt për këtë. Pas luftës mori pozita të larta shtetërore, por, krahasuar me shumë të tjerë, gjithmonë më është dukur më i matur në diskutime.
Instinktivisht kemi kontaktuar disa herë në Parlamentin e Kosovës: unë gazetar, ai deputet. Kemi pirë kafe bashkë. I kam shprehur mendimet e mia, të cilat jo gjithmonë janë përputhur me qëndrimet e partisë ku ai vepronte. Por asnjëherë nuk më është përgjigjur me arrogancë. Përkundrazi, shumë herë, me një lëvizje të kokës lart e poshtë, ka shprehur një lloj pajtimi.
Por ajo që më ka “lidhur” më së shumti me këtë njeri dhe që, mbi të gjitha, më obligon ta respektoj, janë disa momente që nuk kanë të bëjnë fare me politikën.
Kur një njeri me të cilin ke kaluar kohë, edhe pse nuk të lidh as fëmijëria, as shkollimi, as puna, të hap zemrën dhe të tregon, pa e pyetur fare, hallet e tij më të thella; kur të flet për probleme familjare, për gabime ku edhe vetë ka kontribuar, për dështimet e tij në jetë; kur të rrëfen se si njerëz që dikur i konsideronte shokë të idealit nuk e përfillin më dhe madje e luftojnë me metoda jo njerëzore – atëherë unë nuk kam shumë zgjedhje.
Mundem vetëm ta respektoj.
Asgjë më shumë.
Nuk i kam thënë kurrë nëse ka bërë mirë apo keq. Nuk kam marrë përsipër të jem gjykatësi i jetës së tij. Nuk mund t’i them se është shok i keq, nuk mund ta akuzoj dhe, aq më pak, nuk mund të lejoj që dikush ta përqeshë para meje.
Prandaj, mos më akuzo pse takohem herë pas here me të.
Më the se është njeri i keq. Mirë. Por ku janë faktet?
Unë jam ky që jam. Nuk paragjykoj një njeri vetëm pse ti thua se është hajdut, mashtrues, pjesë e SHIK-ut apo e ndonjë shërbimi tjetër të huaj. Nëse ke fakte, tregoji. Nëse nuk ke, atëherë më lër mua të gjykoj njerëzit sipas asaj që kam parë dhe përjetuar vetë.
Unë do të vazhdoj ta respektoj dhe ta konsideroj mik këtë person, i cili ende është pjesë e politikëbërjes.
Dhe një gjë dua ta them shumë qartë: asnjëherë nuk kam kërkuar prej tij asgjë. As ndihmë, as favor, as ndërhyrje, asnjë interes personal.
E di se para luftës ka kontribuar për këtë Kosovë. E di gjithashtu se, si shumë politikanë të Kosovës së pasluftës, edhe ai ka përfituar nga politika dhe nga pozitat që ka pasur.
Por e di edhe diçka tjetër.
Sot nuk ndihet mirë me veten.
Dhe para disa ditësh, kur më tha:
“Nuk mbeti kush pa u korit…”
ajo fjali më bëri ta respektoj edhe më shumë.
Sepse ndonjëherë pendesa nuk vjen me deklarata publike, as me konferenca për shtyp, as me kërkimfalje solemne. Ndonjëherë ajo del në një fjali të thjeshtë, të thënë mes dy njerëzve, pa kamera dhe pa publik.
“Nuk mbeti kush pa u korit…”
Ndoshta ishte një pranim i heshtur. Ndoshta një pendesë. Ndoshta një lloj kërkimfaljeje për ndonjë devijim të tij eventual.
Unë nuk e di.
Por e di se një njeri që është në gjendje ta shohë veten në pasqyrë dhe të pranojë se është koritur, është ende njeri.
Dhe këtu qëndron paradoksi i madh i qenies njerëzore: njeriu është qenia më e përsosur e krijuar mbi këtë rruzull, por njëkohësisht mund të bëhet edhe më e ulëta.
Sidomos kur hyn në politikë.
Prandaj, mos më kërkoni t’i gjykoj njerëzit vetëm nga etiketa që ua vendosni ju.
Unë i gjykoj edhe nga mënyra se si më kanë folur kur nuk kishin nevojë të më bindnin për asgjë.
Dhe ndonjëherë, një rrëfim i sinqertë në një kafe vlen më shumë se një mijë deklarata politike.
Rrëfimet vazhdojnë çdo të diele

