Udhëheqësit e qipriotëve grekë dhe turq kanë rënë dakord për hapjen e dy kalimeve të reja kufitare, koordinimin e veprimeve në situata emergjente dhe shkëmbimin e materialeve arkivore. Marrëveshja është pjesë e përpjekjeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara për të ringjallur bisedimet e paqes që kanë ngecur për gati një dekadë, raporton Reuters .
Kjo do ta rrisë numrin e kalimeve të hapura në ishullin e ndarë mesdhetar në njëmbëdhjetë. Udhëheqësi grek qipriot Nikos Christodoulides dhe udhëheqësi turk qipriot Tufan Erhurman u takuan me të dërguarën e posaçme të OKB-së, Maria Angela Holguin. Takimi i tyre në zonën tampon nën mbikëqyrjen e OKB-së zgjati rreth katër orë.
Qiproja u nda pas një pushtimi turk në vitin 1974, i cili pasoi një grusht shteti jetëshkurtër nga junta ushtarake e atëhershme në Greqi. Administrata e përbashkët e qipriotëve grekë dhe turq u shemb në vitin 1963. Që atëherë, paqeruajtësit e OKB-së kanë monitoruar vijën ndarëse prej 180 kilometrash, si pjesë e një prej operacioneve paqeruajtëse më të gjata në botë.
Vazhdimi i negociatave është i pasigurt
Që nga vera, të dyja palët nuk kanë arritur dot një marrëveshje mbi kushtet themelore për bisedime. Ata u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, në ishull. Megjithatë, OKB-ja në një deklaratë e përshkroi takimin si pozitiv dhe njoftoi se të dy udhëheqësit do të takohen përsëri në javët e ardhshme. Guterres do të jetë gjithashtu i pranishëm në atë takim.
Një nga çështjet kryesore që po i pengon bisedimet është mosmarrëveshja mbi rolin e ardhshëm të Turqisë. Qipriotët grekë kundërshtojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ankarasë, ndërsa qipriotët turq e shohin atë si të nevojshme. Deklarata e OKB-së tha gjithashtu se udhëheqësit diskutuan mundësinë e hapjes së kalimeve shtesë.
“Ne po i vazhdojmë këto përpjekje me seriozitetin më të madh dhe kemi vetëm një qëllim: të rifillojmë negociatat para përfundimit të mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm”, u tha Christodoulides gazetarëve pas takimit. Mandati skadon në fund të vitit.

