“Deti i Zi është kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe Bullgaria e mbron atë njësoj si të gjithë kufijtë tokësorë. Ne e mirëpresim idenë e BE-së për krijimin e një qendre detare të sigurisë”. Këtë e deklaroi kryeministri bullgar Rumen Radev gjatë një konference për shtyp me gazetarët në Varna, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Tema kryesore e bisedimeve në Varna ishte ndryshimi i situatës së sigurisë në rajonin e Detit të Zi dhe shtimi i sulmeve ndaj anijeve tregtare. Radev i cilësoi sulmet ndaj anijeve tregtare si absolutisht të papranueshme. “Detarët nuk janë palë në konfliktin e armatosur dhe anijet tregtare nuk duhet të jenë objektiv i sulmeve”, theksoi ai. Sipas kryeministrit bullgar, ndalimi i këtyre shkeljeve të së drejtës detare dhe asaj ndërkombëtare kërkon arritjen e paqes, gjë që nënkupton ndërprerjen e luftimeve dhe angazhimin aktiv diplomatik.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Bashkimi Evropian do t’i akordojë Bullgarisë 10 milionë euro për operacionet e kërkim-shpëtimit në Detin e Zi. “Erdha me një mesazh të qartë: Evropa qëndron në krah të Bullgarisë në këto kohë të vështira, sepse siguria e Detit të Zi është siguria e Evropës”, theksoi von der Leyen.

