Forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, përmirësimi i klimës së biznesit dhe reformat ekonomike ishin në fokus të takimit të ambasadorit të BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, me drejtorin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli.
Pas takimit, Schuebel tha se diskutuan për forcimin e lidhjeve ndërmjet bizneseve të BE-së dhe Kosovës, si dhe për rolin e sektorit privat në zhvillimin ekonomik.
“Plani i Rritjes i BE-së i ofron Kosovës mundësi të reja përmes bashkëpunimit rajonal, integrimit gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe nxitjes së reformave”, tha Schuebel.
Ai theksoi se një ekonomi më e fortë nënkupton më shumë vende pune, mirëqenie më të madhe dhe përparim më të shpejtë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Schuebel rikonfirmoi se BE-ja, si partneri më i fuqishëm i Kosovës, do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e saj ekonomik.

