Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka prezantuar në Kuvend gjetjet kryesore të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026.
Konjufca tha se periudha që mbulon raporti, nga shtatori 2025 deri në shtator 2026, është karakterizuar nga tri palë zgjedhje, dy parlamentare dhe një komunale, mungesa e presidentit të zgjedhur dhe mosfunksionimi i Kuvendit për pjesën më të madhe të kohës.
Sipas tij, këto rrethana kanë ndikuar në ngadalësimin e reformave dhe në efektivitetin e qeverisjes.
Duke iu referuar raportit, Konjufca citoi vlerësimin e Komisionit Evropian se “progresi në reformat e Bashkimit Evropian mbetet i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe bllokadës politike”.
Ai theksoi se Kuvendi kishte punuar vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria kishte qenë në detyrë për pjesën më të madhe të periudhës raportuese.
“Puna për strategjinë dhe ligjet për financat publike ngeci për shkak të kontekstit të vështirë politik”, citoi Konjufca raportin e Komisionit Evropian.
Megjithatë, ai tha se niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka rënë në asnjë fushë, ndërsa progres është shënuar në disa kapituj, përfshirë reformën e administratës publike, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistikat, politikat rajonale, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.
“Megjithatë, pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se në vitin e kaluar, në së paku shtatë prej kapitujve. Së pari, në reformën e administratës publike, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në akuakulturë, në statistika, në politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, në drejtësi, liri dhe siguri, ndërsa në kapitullin që është gjyqësori, është përmirësuar gjendja në dimensionin e lirisë së shprehjes. Gjithmonë po e krahasoj me Raportin e Progresit të vitit 2025”, tha ai.
Konjufca veçoi edhe vlerësimet për luftën kundër korrupsionit, duke thënë se vendimet dhe dënimet përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë janë rritur ndjeshëm, ndërsa aktakuzat gati janë dyfishuar.
“Sipas Komisionit, dobësia kryesore është te zbatimi dhe jo te kuadri ligjor”, theksoi ai.
Sa i përket lirisë së shprehjes, Konjufca tha se Kosova ka shënuar progres të kufizuar, krahasuar me vitin e kaluar, kur kjo fushë ishte vlerësuar pa progres.
Ai përmendi edhe përmirësimin e pozitës së Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij, duke theksuar se vendi është ngritur për 15 pozita në renditjen për lirinë e medias.
Duke folur për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, Konjufca tha se, pavarësisht miratimit të akteve nënligjore dhe emërimit të koordinatores kombëtare, vazhdon të ketë mangësi në zbatimin e ligjeve nga institucionet.
“Prej rastit të krimit monstruoz ndaj Arlinda Zekajt që ndodhi këtë vit, po e shohim se ka një hendek ende në shtetin tonë mes ligjeve ose rregulloreve të cilat ne i lavdërojmë dhe aspektit të zbatueshmërisë nga ana e institucioneve për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.
Konjufca foli edhe për koston e bllokadës institucionale, duke thënë se ajo ka marrë kohë dhe mjete financiare që mund të përdoreshin për reforma.
“Kjo seancë e thirrur vetëm na kujton se sa shumë kohë u është marrë qytetarëve, kohë që kushtoi me kryerjen e reformave, por kishte edhe një kosto të konsiderueshme financiare prej mbi 20 milionë euro”, tha ai.
Ai shtoi se përgjegjësinë për situatën duhet ta shqyrtojnë të gjitha subjektet politike.
“Nëse e kuptojmë këtë si llogaridhënie që duhet ta japim edhe si përgjegjësi, atëherë unë mendoj që ka hapësirë të mjaftueshme që secili ta shikojë veten në pasqyrë”, deklaroi Konjufca.
Në fund, ai u zotua se Qeveria do t’i adresojë shqetësimet dhe rekomandimet e ngritura gjatë seancës, duke theksuar se për përmirësimin e raportit të ardhshëm nevojitet bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës.
“Qeveria zotohet që të adresohen të gjitha këto që evidentohen edhe në këtë seancë”, tha ai.
“Vetëm duke punuar së bashku, mazhoranca me opozitën dhe grupet parlamentare, dhe vetëm kur subjektet politike bëhen bashkë, atëherë mund ta krijojmë së bashku një raport progresi edhe më të mirë në vitin 2027”, përfundoi Konjufca.

