Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se LDK-ja nuk do ta mbështesë përmbysjen e vetos së presidentes nëse synohet miratimi i të njëjtit ligj. Sipas saj, nismat që krijojnë pritje të rreme nuk ndihmojnë në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës dhe të luftës çlirimtare.
Osmani tha se qëndrimi i partisë do të varet nga përmbajtja e propozimit që do të paraqitet në Kuvend, por theksoi se kundërshtimet parimore mbeten.
“Ne po presim tani të shohim se çfarë do të sillet në Kuvend. Natyrisht që qëndrimet gjithmonë varen edhe nga përmbajtja. Por, në parim, në qoftë se synohet që të kalohet ligji i njëjtë dhe të përmbyset vetoja e presidentes, natyrisht që ne nuk jemi për”, deklaroi ajo.
Ajo kritikoi institucionet për mungesë të angazhimit në arenën ndërkombëtare, duke thënë se energjia shtetërore është dashur të përqendrohet në mbrojtjen e historisë së Kosovës përmes mediave dhe platformave të rëndësishme ndërkombëtare.
Sipas Osmanit, iniciativat që nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare mund ta dëmtojnë edhe mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në procedurën e apelit.
“Madje-madje, më shumë e dëmtojnë edhe vetë kauzën e mbrojtjes së të vërtetës, sidomos para procedurës në apel. Dhe besoj shumë që i dëmtojnë edhe vetë krerët e UÇK-së, të cilët duhet të mbrohen në apel me argumente juridike dhe argumente të fuqishme juridike”, tha Osmani.
Duke folur për reagimet ndaj qëndrimit të LDK-së, ajo i cilësoi të papranueshme etiketimet dhe vendosjen e emrave të përfaqësuesve të partisë pranë njerëzve të Serbisë. Osmani theksoi se mbrojtja e luftës së UÇK-së duhet të shoqërohet edhe me mbrojtjen e dinjitetit të veprimtarëve të LDK-së dhe familjeve të tyre.
“Ne do ta mbrojmë të vërtetën historike të Kosovës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por njëkohësisht ne nuk i kërkojmë leje askujt, askujt, që të mbrojmë edhe dinjitetin e njerëzve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi ajo.
Në fund, Osmani tha se këto qëndrime plotësojnë njëra-tjetrën, duke iu referuar figurave të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

