Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë, ka nisur trajnimet për zbatimin e Kurrikulës së re për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, e cila për herë të parë parasheh një kornizë të unifikuar për edukimin e fëmijëve nga mosha nëntë muaj deri në gjashtë vjeç.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, trajnimet kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale të edukatorëve dhe profesionistëve të tjerë të kësaj fushe, në mënyrë që të sigurohet zbatimi sa më efektiv i kurrikulës së re.
Në fazën e parë të këtij procesi do të përfshihen 250 profesionistë të edukimit në fëmijërinë e hershme, ndërsa synimi është që gjatë vitit 2027 trajnimet të shtrihen te të gjithë profesionistët e kësaj fushe në nivel vendi.
Ministria e Arsimit e vlerëson këtë proces si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së edukimit në vitet e para të jetës, duke theksuar se investimi në këtë nivel të arsimit është thelbësor për zhvillimin e fëmijëve dhe krijimin e mundësive të barabarta.
Kurrikula e re synon të mbështesë të nxënit dhe zhvillimin e gjithanshëm të fëmijëve, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë potencialin e tyre që në fazat më të hershme të jetës.

