Sunday, November 15, 2026
HomeLajmeKosovëUlpiana kërkon ruajtjen e konceptit fillestar urbanistik

Ulpiana kërkon ruajtjen e konceptit fillestar urbanistik

Pamjet e vitit 1976 dhe skicat e arkitektit Bashkim Fehmiu dëshmojnë se Ulpiana ishte projektuar si një tërësi urbanistike, ku ndërtesat, gjelbërimi dhe hapësirat e përbashkëta ishin pjesë e një vizioni të vetëm.

Ky koncept, gati pesë dekada më vonë, është në qendër të debatit për ndërtimin e propozuar në hapësirën te Fontana.

Bashkim Fehmiu e kishte konceptuar lagjen jo vetëm si hapësirë banimi, por si një tërësi të organizuar, me gjelbërim, shtigje për këmbësorë dhe ambiente të përbashkëta. Plani u zhvillua në kohën kur Prishtina po zgjerohej në drejtim juglindor, gjatë viteve ’60 dhe ’70.

Vlera e Ulpianës nuk qëndron vetëm te ndërtesat, por edhe te raporti i tyre me hapësirat e lira, gjelbërimin dhe mjedisin përreth. Pikërisht kjo tërësi, sipas arkitektit Ilir Gjinolli, përbën karakterin urbanistik të lagjes dhe duhet të ruhet.

Kundër ndërhyrjes së propozuar te Fontana është deklaruar edhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës. Në reagimin e 10 nëntorit, ai e cilëson Ulpianën trashëgimi urbane dhe thekson se hapësirat e lira, gjelbërimi dhe raporti ndërmjet ndërtesave janë pjesë përbërëse e arkitekturës së saj. Sipas Asociacionit, edhe nëse Fontana mbetet e paprekur, një ndërtim i ri mund të cenojë tërësinë urbanistike të lagjes.

Komuna e Prishtinës ka propozuar ndërtimin e një objekti akomodues, nëse vlerësohet i nevojshëm për Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe një parking nëntokësor. Kryetari Përparim Rama ka deklaruar se Fontana do të mbetet e paprekur, objekti nuk do të ketë destinim komercial dhe propozimi nuk do të vazhdojë pa mbështetjen e banorëve.

Por, lidhja e këtij projekti me Lojërat Mesdhetare ka ngritur pikëpyetje edhe për përfshirjen e tij në planifikimin zyrtar të këtij organizimi. Ministri përgjegjës për sportin ka deklaruar se projekti në lokacionin e Fontanës nuk është pjesë e planifikimit të Lojërave Mesdhetare, duke përmendur Qendrën e Studentëve si lokacion të paraparë për nevojat e tyre.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram