Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas interpretimit të melodisë së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar rastin si provokim dhe skandal.
Përmes një reagimi në Facebook, Çitaku ka ngritur shqetësimin për përzgjedhjen e kësaj melodie në një ngjarje që kishte në fokus të ardhmen evropiane të rajonit.
Ajo ka thënë se mbetet të shihet nëse bëhet fjalë për injorancë apo veprim të qëllimshëm, por ka theksuar se asnjëra nuk e shmang përgjegjësinë institucionale.
“Mes injorancës dhe qëllimit, shpresojmë të ketë qenë e para. Por asnjëra nuk e përjashton përgjegjësinë institucionale”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka vlerësuar se keqardhja e komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, nuk është e mjaftueshme për të adresuar këtë rast.
“Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkimfalje dhe garanci për mospërsëritje”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kërkuar që institucionet e Kosovës të aktivizojnë mekanizmat diplomatikë dhe institucionalë për të kërkuar përgjegjësi, duke nënvizuar se Kosova duhet të ketë vendin dhe zërin e saj në procesin e zgjerimit evropian.
“E ardhmja evropiane e rajonit nuk ndërtohet duke përjashtuar Kosovën dhe duke u dhënë skenë pretendimeve kundër saj”, ka përfunduar Çitaku.

