REL
Spanja nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, deklaroi kryediplomati spanjoll, Jose Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim 2026, të mbajtur në Bruksel.
“Kemi qenë të qartë gjatë këtij viti se kurrë nuk do të jemi pengesë ndaj dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kurrë nuk do të jemi pengesë që Kosova të afrohet me BE-në”, tha ai.
Spanja është një nga pesë vendet anëtare të BE-së, krahas Qipros, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë, që nuk e njohin pavarësinë e shpallur nga Kosova në vitin 2008.
Si dëshmi se Spanja nuk do të jetë pengesë, shefi i diplomacisë spanjolle përmendi heqjen e vizave për Kosovën dhe njohjen e pasaportave të Kosovës nga ana e Madridit.
Qytetarët e Kosovës, që nga janari i vitit 2024, mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, përfshirë edhe në Spanjë.
Megjithatë, në po të njëjtin forum, ministri irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne, konfirmoi se qëndrimi i pesë shteteve anëtare, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, paraqet pengesë për përparimin e Prishtinës drejt strukturave evropiane.
“Secili vend aplikant ka disa çështje që duhet t’i adresojë. Një numër shtetesh anëtare [të BE-së] nuk e njohin Kosovën. Kjo është sfidë për Kosovën dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta tejkalojmë aq lehtë“, tha Byrne.
Irlanda, aktualisht, mban presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së.

