Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë shpallur aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, e cila lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Gjykata ka dënuar Hashim Thaçin dhe të tjerët me 41 muaj burgim efektiv për veprën penale të pengimit të drejtësisë.
Gjykatësi i vetëm për gjykimin e çështjes, Kristofer Gosnell, e ka shpallur Hashim Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, dënim që do të vuhet veçmas nga çdo dënim tjetër në çështjen e tij për krime lufte.
Bashkim Smakaj është shpallur fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe për ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës, duke u dënuar me 12 muaj burgim. Megjithatë, duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, gjykatësi e ka konsideruar dënimin të vuajtur dhe ka urdhëruar lirimin e tij.
Me të njëjtin dënim, prej 12 muajsh burgim, është dënuar edhe Fadil Fazliu, i shpallur fajtor për të njëjtat vepra penale. Edhe në rastin e tij, koha e kaluar në paraburgim është llogaritur në dënim, duke bërë që ai të konsiderohet i vuajtur dhe Fazliu të lirohet.
Në anën tjetër, Hajredin Kuçi është shpallur fajtor për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës dhe është dënuar me një muaj burgim me kusht. Ky dënim do të konsiderohet i kryer pas një viti, nëse gjatë kësaj periudhe ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat kundër tij.
Çfarë konstatoi gjykata?
Sipas konstatimeve të paraqitura në komunikatën e DHSK-së, çështja lidhet me vizitat që Thaçi kishte pranuar në objektin e paraburgimit gjatë vitit 2023, ku pretendohet dhe është konstatuar nga gjykata se ai kishte përcjellë informacione konfidenciale për dëshmitarë dhe udhëzime lidhur me dëshmitë e tyre në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në rastin e Fadil Fazliut, gjykata konstatoi se gjatë një vizite më 2 korrik 2023, Thaçi i kishte dhënë udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarit të Prokurorisë, Rrustem Mustafës. Sipas aktgjykimit, Fazliu i kishte komunikuar këto udhëzime dëshmitarit një ditë më vonë.
Në rastin e Bashkim Smakajt, gjykata konstatoi se gjatë vizitës së 7 tetorit 2023, Thaçi i kishte dhënë udhëzime me shkrim lidhur me dëshminë e Bislim Zyrapit. Provat digjitale dhe dokumentet e sekuestruara në banesën e Smakajt u morën parasysh nga gjykata në vlerësimin e këtij rasti.
Ndërkaq, për Isni Kilajn, gjykata konstatoi se Thaçi i kishte dhënë udhëzime të hollësishme për dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, si dhe kopje të deklaratave të mëparshme të tij. Megjithatë, nuk u vërtetua se Kilaj kishte ndërmarrë hapa për t’ia përcjellë këto udhëzime dëshmitarit apo se ishte përmbushur kushti ligjor për veprimin e përbashkët. Për këtë arsye, ai u shpall i pafajshëm.
Sa i përket Hajredin Kuçit, gjykata konstatoi se ai i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës, në kundërshtim me urdhrin gjyqësor që ndalonte kontaktet me dëshmitarët e Prokurorisë. Megjithatë, gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme për pretendimin se Kuçi kishte marrë pjesë në një marrëveshje për kontaktimin e tre dëshmitarëve lidhur me dëshmitë e tyre.
Gjykata: Pengimi i drejtësisë cenon integritetin e sistemit gjyqësor
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi theksoi rëndësinë e veprave penale të konstatuara, duke nënvizuar se pengimi i personave zyrtarë në ushtrimin e detyrave të tyre gjatë një procesi gjyqësor përbën cenim të integritetit të sistemit të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se një përmbledhje më e hollësishme e aktgjykimit do të publikohet në faqen e tyre zyrtare, ndërsa versioni i redaktuar publik i aktgjykimit do të jetë gjithashtu në dispozicion.
Thaçi dënohet me 17 muaj burgim, shpallet fajtor për pengim të drejtësisë
Thaçi u shpall fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të veprimit të përbashkët, sipas pikave 1 dhe 2 të aktakuzës.
Ai u shpall gjithashtu fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës, sipas pikave 4, 5, 6 dhe 7, si dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikave 8, 10 dhe 11 të aktakuzës.
Ndërkaq, gjykatësi e shpalli të pafajshëm për tentativë për pengim të personave zyrtarë, sipas pikës 3 të aktakuzës, dhe për mosbindje ndaj gjykatës, sipas pikës 9.
Smakaj e Fazliu dënohen me nga 12 muaj burgim, Kilaj dhe Kuçi shpallen të pafajshëm pjesërisht
Gjykatësi Christopher Gosnell ka shpallur fajtorë Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, duke i dënuar me nga 12 muaj burgim.
Megjithatë, meqë të dy kanë kaluar në paraburgim më gjatë se periudha e dënimit, gjykatësi ka bërë të ditur se dënimet konsiderohen të shlyera dhe se ata do të lirohen në përfundim të seancës. Gjithashtu, do t’u kthehen garancitë financiare.
Ndërkaq, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm për të dyja pikat e aktakuzës ndaj tij dhe do të lirohet pas përfundimit të seancës, ndërsa do t’i kthehet edhe garancia financiare.
Edhe Hajredin Kuçi është shpallur i pafajshëm për njërën nga dy pikat e aktakuzës, ndërsa për pikën tjetër është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me kusht prej një muaji burgim, i cili do të konsiderohet i kryer nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Gjyqtari: Nuk u provua tentativa e Thaçit për pengim të drejtësisë
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se gjatë vizitës së Isni Kilajt në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 6 tetor 2023, Hashim Thaçi i dha atij udhëzime lidhur me dëshminë që duhej të jepte dëshmitari i identifikuar si Dëshmitari 4.
Sipas gjyqtarit, provat nuk tregojnë se Kilaj ndërmori ndonjë hap për ta kontaktuar këtë dëshmitar. Po ashtu, nuk u gjetën prova se vizitori tjetër, Kryeziu, kishte ndërhyrë. “Në këto rrethana, nuk jam bindur se janë përmbushur kriteret”, tha Gosnell, duke mos konstatuar tentativë të Thaçit dhe Kilajt për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.
Sipas tij Thaçi u kishte zbuluar Kilajt dhe Kryeziut informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë.
Gjyqtari Christopher Gosnell tha se provat vërtetojnë se Hajredin Kuçi kishte marrë udhëzime për të kontaktuar disa dëshmitarë në emër të Hashim Thaçit.
Nis seanca për rastin “Administrimi i Drejtësisë” në Hagë|Live
Gjykatësi i vetëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Gosnell, ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit në çështjen kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe rendit publik.
Në fillim të seancës, Gosnell ka bërë të ditur se kjo është përmbledhje e aktgjykimit, e cila po shqiptohet në përputhje me rregullat 158 dhe 159 të Rregullores së Procedurës dhe Provave.
“Kjo është vetëm një përmbledhje e aktgjykimit, i cili po del sot në përputhje me rregullën 158 dhe 159 të Rregullores së Procedurës dhe Provave”, ka thënë Gosnell.
Ai ka shpjeguar se Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë në kuadër të një procesi tjetër gjyqësor në Dhomat e Specializuara, në të cilin Thaçi ishte i akuzuar.
Sipas aktakuzës, Thaçi pretendohet se gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit në Hagë, në korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023, kishte organizuar tri grupe me Fazliun, Smakajn dhe Kilajn, me qëllim që t’u përcillnin udhëzime dëshmitarëve të Prokurorisë.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, këto veprime synonin të pengonin përgatitjen dhe paraqitjen e dëshmitarëve para gjykatës.
Gosnell ka shpjeguar edhe akuzat ndaj secilit prej të bashkakuzuarve. Thaçi akuzohet, ndër të tjera, për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, zbulim të informacionit konfidencial për dëshmitarët dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu akuzohen për përfshirje në veprime të përbashkëta për pengimin e personave zyrtarë, si dhe për ndihmë në mosbindjen ndaj gjykatës të Thaçit.
Hajredin Kuçi akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës, lidhur me përcjelljen e një mesazhi te një dëshmitar i Prokurorisë në prill të vitit 2023 dhe një marrëveshjeje të pretenduar për përcjelljen e udhëzimeve te tre dëshmitarë gjatë një vizite te Thaçi në shtator të po atij viti.
Gjykatësi ka paraqitur edhe rrjedhën e procesit gjyqësor, duke bërë të ditur se çështja i ishte transferuar më 12 nëntor 2025, ndërsa gjykimi kishte nisur më 27 shkurt 2026. Paraqitja e provave kishte përfunduar më 5 gusht, kurse deklaratat përmbyllëse ishin mbajtur më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.
Gjatë gjykimit, sipas Gosnellit, janë dëgjuar ose paraqitur prova nga nëntë dëshmitarë, tre të Prokurorisë dhe gjashtë të Mbrojtjes. Në mesin e provave të pranuara ishin audio-incizime, të dhëna të telekomunikimit, mesazhe, të dhëna kompjuterike dhe prova të tjera dokumentare.
Në total, gjykatësi ka bërë të ditur se janë pranuar 241 prova materiale të Prokurorisë dhe 163 të Mbrojtjes.
Një pjesë e rëndësishme e shqyrtimit të tij iu kushtua audio-incizimeve të pesë vizitave të Thaçit me të bashkakuzuarit në objektin e paraburgimit. Mbrojtja kishte kundërshtuar mbështetjen në transkriptet dhe përkthimet e këtyre incizimeve, duke pretenduar se cilësia e tyre ishte e dobët dhe se ato duhej të transkriptoheshin nga e para nga persona neutralë.
Megjithatë, Gosnell ka thënë se nuk është bindur nga argumentet e Mbrojtjes lidhur me pamjaftueshmërinë e procedurës për kundërshtimin e transkriptimeve.
“Rrjedhimisht, transkriptet e audio-incizimeve dhe përkthimet përkatëse janë përdorur për t’u mbështetur në to si dokumentim i saktë i asaj që është thënë gjatë atyre vizitave”, ka deklaruar ai.
Gjykatësi ka kundërshtuar edhe vlerësimin e ekspertit të Mbrojtjes për cilësinë e incizimeve, duke theksuar se eksperti nuk fliste shqip dhe nuk ishte ndihmuar nga një person që e njihte këtë gjuhë gjatë përgatitjes së raportit.
Ai ka vlerësuar se Njësia e Pavarur e Përkthimit e gjykatës mund të shqyrtonte në mënyrë kompetente pretendimet për gabime në transkriptim dhe përkthim.
Gosnell ka folur edhe për kundërshtimet e Mbrojtjes lidhur me identifikimin e personave që dëgjohen në audio-incizime, duke thënë se atribuimi i fjalëve nga Prokuroria nuk është trajtuar si provë më vete.
Sipas tij, pjesë të mjaftueshme të incizimeve mund t’u atribuoheshin në mënyrë të besueshme folësve, bazuar në përmbajtjen e bisedave dhe dallimet ndërmjet zërave.
Leximi i përmbledhjes së aktgjykimit po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Nis seanca për rastin “Administrimi i Drejtësisë” në Hagë|Live
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimi në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi bashkë me ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajn, ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliun dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Të pranishëm në seancë janë pesë të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.

