Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka nisur ciklin e bashkëbisedimeve me studentët e Kosovës për Strategjinë e Arsimit 2035+, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe parlamentet studentore të universiteteve të tjera.
Takimi i parë është mbajtur në Prishtinë, ku studentët kanë paraqitur kërkesat, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me zhvillimin e arsimit të lartë në vend.
Përmes një njoftimi, ministri Çeku ka bërë të ditur se aktiviteti do të vazhdojë sot në Gjilan, ndërsa në ditët në vijim do të përfshijë edhe rajonet e tjera të Kosovës.
Çeku ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së studentëve në hartimin e politikave arsimore, duke vënë në pah nevojën për reforma në arsimin e lartë, përmirësimin e kushteve të studimit dhe krijimin e mundësive që diplomat universitare të përkthehen në punësim dhe zhvillim të karrierës profesionale.
Ministri ka shprehur mirënjohje për studentët, Parlamentin Studentor të UP-së dhe parlamentet studentore të universiteteve të tjera për bashkëpunimin në këtë proces.
Bashkëbisedimet synojnë të mbledhin perspektivat dhe propozimet e studentëve nga rajone të ndryshme të vendit, si pjesë e diskutimeve për të ardhmen e arsimit në Kosovë.

