Aksioni u mbajt në kohën kur Komisioni Hetimor Parlamentar po intervistonte zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë lidhur me rastin.
Aktivistja Qëndresa Hyseni bëri të ditur se në kuadër të komisionit kanë nisur intervistimet, ndërsa në listën e personave të ftuar përfshihen edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Hyseni theksoi se kërkesa kryesore e aktivisteve është që të gjithë personat që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre të mbajnë përgjegjësi dhe të ndiqen penalisht.
Ajo kundërshtoi gjithashtu vendimin për zhvillimin me dyer të mbyllura të një pjese të intervistimeve në Komisionin Hetimor, duke vlerësuar se kjo mund të pengojë transparencën dhe informimin e publikut për çështjet që lidhen me rastin.
Sipas Hysenit, mbajtja e intervistimeve larg syrit të publikut mund të ndikojë në mënyrën se si trajtohen përgjegjësitë institucionale dhe në kërkimin e drejtësisë për Arlindën.
Aktivistet paralajmëruan se nuk do të ndalen së kërkuari përgjegjësi dhe ndëshkim për të gjithë personat që, sipas tyre, kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre në këtë rast.

