Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe bashkëpunëtorëve të tij, lidhur me keqpërdorimin e dyshuar të 2.2 milionë eurove nga mjetet buxhetore.
Sipas Muratit, këto keqpërdorime janë evidentuar edhe nga auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ai ka bërë të ditur se veprimet e dyshuara përfshijnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, falsifikimin e dokumenteve zyrtare, mashtrimin dhe përdorimin e paautorizuar të pasurisë.
Murati ka shpjeguar se Ministria e Financave kishte nënshkruar marrëveshje financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej pesë milionë eurosh, të cilat i ishin vënë në dispozicion Komunës së Prishtinës për renovimin dhe ngrohjen e shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera publike.
“Në vend se të kryenin investimet e parapara, zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Prishtinës kanë keqpërdorur rreth 44% të mjeteve të vëna në dispozicion duke kryer pagesa për fatura që nuk kishin fare të bënin me projektin sipas marrëveshjes.
Shuma prej 2.2 milione eurove është ekzekutuar nëpërmjet 21 transaksioneve në kohë të ndryshme, pra nuk bëhet fjalë për ndonjë lëshim teknik apo gabim procedural, por me skemë keqpërdorimi të paramenduar”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, disa prej projekteve në emër të të cilave janë bërë pagesa, as që kanë ekzistuar në buxhet.
“Keqpërdorimi i 2.2 milionë eurove dhe fakti që kjo është bërë me paramendim në 21 transaksione të ndryshme, len të kuptohet që personat e përfshirë kanë qenë të bindur se janë të paprekshëm nga ligji”, ka shkruar ai.
Në fund, ministri i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë sa më shpejt dhe pa hezitim ndaj këtij rasti.

