Armenia ka publikuar një projekt-propozim për një kushtetutë të re, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje formale paqeje me Azerbajxhanin fqinj, një armik të hershëm.
Dy vendet e Kaukazit Jugor kanë qenë në luftë me ndërprerje që nga fundi i viteve 1980, kryesisht për shkak të rajonit malor të Nagorno-Karabakut, përpara se të arrinin një marrëveshje paraprake paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të gushtin e kaluar.
Që atëherë ata kanë filluar të rivendosin lidhjet tregtare dhe pretendojnë se janë në një gjendje “paqeje të vërtetë”.
Megjithatë, për Azerbajxhanin, një pengesë kryesore për nënshkrimin e një marrëveshjeje zyrtare ishte pjesa hyrëse e kushtetutës armene, e cila i referohet një dokumenti të epokës sovjetike që mbështet bashkimin e Armenisë dhe Nagorno-Karabakut, atëherë një rajon autonom brenda Azerbajxhanit Sovjetik.
Kërkesa e Bakusë
Kushtetuta e re e propozuar ndryshon preambulën dhe heq referencën kontraverse për të cilën Baku kishte kundërshtime.
Kryeministri armen Nikol Pashinyan, i cili u rizgjodh në qershor, po përballet me një valë kritikash nga opozita dhe një pjesë e publikut.
Ai akuzohet për qetësimin e Azerbajxhanit, veçanërisht pas luftës së vitit 2023, kur forcat azerbajxhanase rivendosën kontrollin mbi Karabakun në një ofensivë të rrufeshme, duke çuar në ikjen e pothuajse të gjithë popullsisë etnike armene të zonës drejt Armenisë.
Pašinjan është tani nën presion për të bindur të paktën gjashtë deputetë të opozitës që t’i bashkohen partisë së tij në pushtet Kontrata Civile, e cila nuk ka shumicën kushtetuese, dhe kështu të mundësojë thirrjen e një referendumi kushtetues. Kushtetuta e re do të diskutohet publikisht.
Partitë opozitare armene, të dominuara nga grupet politike pro-ruse, kanë thënë tashmë se nuk do ta mbështesin iniciativën e Pashinyanit.

